Steve Russell, oficer i amerikan i këmbësorisë, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte.
“Steven Russell është dëshmitari i radhës i Prokurorisë, dëshmia e të cilit nisi mëngjesin e sotëm. Sipas vendimit te meparshem të Panelit, përfaqësuesit e Qeverisë së SHBA-së po e shoqërojnë dëshmitarin në sallën e gjyqit”, thuhet në njoftim të Speciales.
Ndërkaq parashtrimi i pyetjeve nga prokuroria ka nisur me pyetjet lidhur me çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë procesin e dorëzimit të armëve nga UÇK-ja te KFOR-i.
E ashtuquajtura Gjykatë Speciale ka rinisur procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së këtë të hënë pas rreth tri javëve në pushime verore.
Nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar rreth 80 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun.
Ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndryshe, në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm rreth akuzave për krime lufte.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./Albanianpost