Të paktën katër luftëtarë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një sulm me dron në bazën e milicisë të mbështetur nga Irani në lindje të Bagdadit, njoftuan burimet e policisë dhe sigurisë.

Midis viktimave ishte Abu Takwa al-Saadi, komandanti lokal i grupit të milicisë Al-Nujaba'a dhe një nga ndihmësit e tij.

Dëshmitarët dhe burimet policore thanë se të paktën dy raketa goditën ndërtesën që përdorej nga grupi i milicisë irakiane al-Nujaba'a, i cili është i lidhur me Forcat e Mobilizimit Popullor (Hashd al-Shaabi) pranë Iranit.

Duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për sulmin, zëdhënësi i grupit dhe dy komandantët e milicisë irakiane kërcënuan me hakmarrje.

"Ne do të hakmerremi dhe do t'i bëjmë amerikanët të pendohen për kryerjen e këtij agresioni", paralajmëroi komandanti i milicisë lokale irakiane Abu Aqeel al-Moussawi.

Mediat lokale transmetojnë se sektori i logjistikës të Hashd al-Shaabi në Bagdad është shënjestruar në një sulm ajror që rezultoi me viktima.

Forcat irakiane të sigurisë janë dislokuar në zonë dhe një ekip sigurie ka mbërritur në vendngjarje për hetime, thanë dy burime të sigurisë.

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë koment nga Washingtoni për sulmin në fjalë./aa