Autoritetet e Serbisë i kanë mohuar vizitën në Luginë të Preshevës ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Përmes një reagimi në Facebook, Sveçla ka thënë se vizita e tij atje ishte planifikuar pas ftesës më 29 dhjetor, të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiut, për takime në selitë e Këshillit në tri komuna.

Reagimi i plotë i Sveçlës:

“Me datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z. Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet.

Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës.

Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim.

Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës.

Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta.

Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”./ata