Ministri i Punëve të Jashtme britanik, David Cameron, i ka siguruar mbështetje Kosovës, duke theksuar se Britania do ta ndihmojë vendin tonë në proceset nëpër të cilat po kalon. Ndërsa ministrja Donika Gërvalla tha se Perëndimi ka nevojë për qasje të re ndaj Ballkanit.

Në një konferencë të përbashkët të dy ministrave, Cameron tha se Britania do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për t’u njohur ndërkombëtarisht.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se Kosova Britaninë e sheh si një partnere të rëndësishme në NATO, aty ku vendi ynë synon të anëtarësohet.

Ajo theksoi se Perëndimi ka nevojë për një strategji të re ndaj Ballkanit.

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron,  është duke qëndruar për vizitë në Kosovë. Pas takimit të mbajtur me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka vazhduar takimin edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani./ata