Shërbimi i Kirurgjisë Ortopedike në Spitalin Rajonal Memorial Fier ka realizuar me sukses një ndërhyrje të vështirësisë të lartë tek një pacient 71 vjeçar.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Koçiu tha se “falë bashkëpunimit të shërbimit ambulator dhe imazherisë së avancuar u realizua në kohë diagnostikimi i rastit dhe realizimi i ndërhyrjes së vështirë ortopedike e Protezës Totale në terren të luksacionit të lartë bilateral (displazi zhvillimore). Pacienti gëzon shëndet të mirë”.

Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për ekipin e mjekëve kirurgë ortopedë Dr. Arsel Dizdari, Dr. Savas Camur, Dr. Krisli Serani, si dhe personelit infermieror që asistuan gjatë ndërhyrjes ortopedike, Renato Zeneli, Fjorida Ago, Gonca Kocak dhe ndihmësi i sallës Jani Joti.

Në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit po kryhen një sërë ndërhyrjesh të vështira. I ndërtuar në një kohë rekord me investim të Republikës së Turqisë, ky spital ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë./ata