Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka informuar ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, “për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë”.

Në takimin qe e kanë zhvilluar të enjten thuhet se është folur edhe për sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

“Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç'rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator. Presidentja falënderoi sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Në këtë drejtim, presidentja thuhet se ka folur edhe “për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb”.

“Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim”, thuhet në komunikatë.

Partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror e forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës janë disa nga temat e tjera që janë diskutuar.

“Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë. Ngjashëm, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatë.

Osmani për takimin ka shkruar edhe në Facebook. “Fillim i vitit me aleatë të palëkundur të Republikës sonë. Kënaqësi të mirëpres sot Sekretarin e Jashtëm britanik, Lordin Cameron, me të cilin diskutuam partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe përkushtimin tonë të ndërsjellë për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Cameron po qëndron në një vizitë njëditore në Kosovë. Të enjten ai ka zhvilluar një takim edhe me ministren e Jashtme Donika Gërvalla.