SHBA-ja ka zbuluar se do të votojë “jo” ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) që i jep shtetit vëzhgues të Palestinës anëtarësim të plotë në OKB.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, u tha gazetarëve se SHBA-ja konsideron se “rruga më e shpejtë drejt shtetësisë është përmes negociatave të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Autoritetin Palestinez, me mbështetjen e SHBA-së dhe partnerëve të tjerë”.
“SHBA-ja votojnë kundër kësaj rezolute të propozuar të Këshillit të Sigurimit”, tha Patel përpara votimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për projekt-rezolutën e paraqitur nga Algjeria.
Palestina u pranua si shtet vëzhgues i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2012, duke lejuar të dërguarin palestinez të marrë pjesë në debate dhe organizata të OKB-së, por pa të drejtë votimi.
Sipas Kartës së OKB-së, shtetet pranohen në anëtarësim në OKB me vendim të Asamblesë së Përgjithshme me rekomandim të Këshillit të Sigurimit.
Këshilli i Sigurimit kërkon nëntë vota për të miratuar një rezolutë të grupit 15-anëtarësh, por me kusht që asnjë nga pesë anëtarët e përhershëm të mos votojnë kundër, respektivisht SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina.
Aplikimi i Palestinës për anëtarësim të plotë në OKB vjen mes një ofensive vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës, e cila që nga 7 tetori i vitit të kaluar ka vrarë të paktën 33.900 palestinezë./aa