Tranzicioni demografik vit pas viti po e ndryshon popullsinë e vendit në favor të moshave të vjetra, teksa numri i të rinjve po bie nga rënia e lindjeve. INSTAT ka përllogaritur se në tetë qarqe të vendit Berat, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vlorë në fillim të 2023 numri i të rinjve është më i vogël se numri i të moshuarve.
Qarqet me raportin më të lartë të varësisë së të rinjve janë ato të Kukësit dhe Dibrës, përkatësisht me 33,7 dhe 32,0 persona më të rinj se 15 vjet për 100 persona nga 15 deri në 64 vjeç.
Në janar të vitit 2023, në Shqipëri ishin 443.227 të rinj të moshës nën 15 vjeç dhe 454.496 të moshuar të moshës 65 vjeç ose më shumë. Popullsia në moshë pune (njerëz të moshës 15 deri 64 vjeç) ishin 1.864.062 persona gjatë të njëjtit vit.
Siç mund të shihet, nga shpërndarja e popullsisë sipas tre grup-moshave kryesore, në katër qarqe ka më shumë të rinj krahasuar me të moshuarit (Dibër, Durrës, Kukës, Tiranë).
Nga ana tjetër, qarqet me raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve janë ato të Gjirokastrës dhe Lezhës, respektivisht me 28,0 dhe 27,8 persona më të vjetër se 65 vjeç për 100 persona nga 15 deri 64 vjeç. Qarqet me raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve janë ato të Tiranës dhe Shkodrës, respektivisht me 22,8 dhe 23,4 persona më të vjetër se 65 vjeç për 100 persona nga 15 në 64 vjeç.
Ndërsa qarqet me raportin më të ulët të varësisë së të rinjve janë të Gjirokastrës dhe Vlorës, me 19,4 persona më të vogëluar që nga viti 2001, megjithëse jo të gjitha qarqet kanë ndjekur këtë prirje.
Popullsia mesatare e Shqipërisë për vitin 2022 u pakësua nga 2.811.666 banorë në 2.777.689 banorë 2021. Në vitin 2022, qarku me popullsinë mesatare më të madhe në Shqipëri ishte i Tiranës, me 922.386 banorë, i ndjekur nga qarku i Durrësit me 290.561 banorë.
Në të njëjtën kohë, dy qarqet me popullsinë mesatare më të vogël në vitin 2022 ishin të Gjirokastrës dhe Kukësit, respektivisht me 54.296 dhe 72.133 banorë. Gjatë vitit 2022, vetëm popullsia e qarkut të Tiranës është rritur, ndërsa të gjitha qarqet e tjera kishin një normë negative të rritjes së popullsisë.
Qarku i Tiranës ka pasur nivelin më të lartë të rritjes së popullsisë mesatare gjatë vitit 2022, pasi u rrit me 0,7% krahasuar me vitin 2021.Nga ana tjetër, qarku me normën më të ulët të rritjes së popullsisë mesatare ishte ai i Gjirokastrës, me –4,2%, gjatë vitit 2022.
Shqipëria po përjeton efektet e moshimit të popullatës pas një periudhe transformimi demografik të pavërejtur kurrë më parë në historinë e saj, periudhë gjatë së cilës numri i personave të moshuar është rritur me disa herë, ndërkohë që ka rënë numri i fëmijëve, si pasojë e rënies së fertilitetit, dhe rënies së numrit të të rinjve, për shkak të emigracionit.
Ky tranzicion i përshpejtuar demografik është shoqëruar nga një zvogëlim i familjes dhe i rolit të saj tradicional mbështetës për të moshuarit. Për më tepër, ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, Shqipëria nuk trashëgon nga e kaluara një sistem tradicional e të integruar të kujdesit shëndetësor e social për të moshuarit.
Si rezultat i situatës ekonomiko-shoqërore, si dhe i dukurive që lidhen me tranzicionin, individë dhe grupe të përjashtuara ose në rrezik përjashtimi përballen me situata shumë kritike që ndikojnë në mohimin, përjashtimin apo mosrespektimin e të drejtave të tyre./dita