Sotir Çabiri, 36 vjeç u vu në pranga ditën e sotme nga policia e Sarandës si autor i dyshuar i hedhjes në erë me tritol të një hoteli në qytetin bregdetar.

 

Policia njoftoi se zbardhi ngjarjen dhe vuri në pranga të birin e një prej bashkëpronarëve të hotelit ndërsa po ashtu bëri me dije se shkaku i ngjarjes ishte pronësia e objektit.

 

Babai i Sotir Çabirit, dhe një shtetas tjetër me inicialet E. Dh., që prej vitit 2002 ishin ne proces gjyqësor dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh.

 

Ndërkaq mësohet se 36-vjeçari Çabiri që shfaqet në foto u zbulua si autor i dyshuar i vendosjes së tritolit nga kamerat e sigurisë.

Por në dëshminë e dhënë përpara oficerëve të policisë, ai ka mohuar autorësinë e krimit dhe ka deklaruar se ishte kthyer në hotel pasi kishte harruar diçka.

 

“Nuk kam lidhje me shpërthimin. Unë u ktheva në hotel se kisha harruar diçka dhe do iknim jashtë Shqipërisë”, ka thënë 36-vjeçari kur është pyetur për pamjet e kamerave të sigurisë që e nxirrnin duke dalë nga hoteli pak para ngjarjes.

 

Ndërkohë sipas policisë, tritoli ishte vendosur në 5 pika në ndërtesë, çka tregon vendosmërinë e autorit për ta rrëzuar objektin totalisht.

 

Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në bulevardin e qytetit, teksa nga shpërthimi i fuqishëm u dëmtuan dhe objekte pranë hotelit.