Të paktën 32 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë janë vrarë në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga mbrëmë në Rripin e Gazës nën pushtim dhe bllokadë.

Siç raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, ushtria izraelite që nga mbrëmë kreu sulme ajrore dhe tokësore në pjesën qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës. Në sulmin ajror që Izraeli ka ndërmarrë ndaj një shtëpie në zonën Al-Zawaida në pjesën qendrore të Rripit të Gazës kanë humbur jetën 2 palestinezë ndërsa 3 të tjerë kanë humbur jetën në sulmin në zonën Al-Mawassi në Khan Younis në jug.

Më tej thuhet se 6 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore në zona të ndryshme të Khan Younis ndërsa thuhet se avionët luftarakë izraelitë kanë kryer sulme ajrore edhe në qytetin Rafah.

Në sulmin ajror ndaj shtëpisë së familjes Abu Senjar në qytetin Rafah, humbën jetën 5 palestinezë dhe u plagosën shumë të tjerë. Në lajmin ku bëhet e ditur se 16 palestinezë humbën jetën në sulmet e ushtrisë izraelite në pjesën qendrore të Gazës, vihet në dukje se u plagosën dhjetëra palestinezë, përfshirë në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Ende nuk dihet fati i shumë palestinezëve që kanë mbetur nën rrënoja gjatë sulmeve izraelite./aa