Komuniteti turk në Gjermani po paralajmëron kundër pikëpamjeve dhe terminologjisë së Alternativës për Gjermaninë (AfD) të krahut të djathtë, duke i përshkruar ato si një “skenar horror” dhe duke u kërkuar qytetarëve të mos votojnë për të.

“Të gjithë juve që ende po mendoni seriozisht për të votuar për AfD-në, dua t’ju them: ju nuk po zgjidhni alternativë, nuk po zgjidhni përparim dhe më së paku po zgjidhni një zgjidhje për problemet tuaja”, tha presidenti i komunitetit të turqve në Gjermani, Gokay Sofuoglu.

“Ju po zgjidhni rënien e shoqërisë sonë të hapur dhe demokratike,” theksoi Sofuoglu.

Ardhja eventuale në pushtet e AfD-së do të shkaktojë, paralajmëroi Sofuoglu, zhvendosjen e industrisë jashtë vendit dhe recesionin e turizmit, shkruan dpa.

“Nuk dua as të mendoj për atmosferën sociale në një skenar të tillë tmerri”, shtoi ai.

Nënkryetarja komunitetit në fjalë, Ashan Jeshilkaya Jurbay, vuri në dukje kërcënimin e hyrjes së terminologjisë së AfD në jetën e përditshme politike, për shembull terma si riemigrimi dhe dëbimi.

“Ky është edhe qëllimi i AfD-së”, shtoi ajo.

Në të djathtën ekstreme, fjala “riemigrim” nënkupton dëbimin e një numri të madh njerëzish me origjinë të huaj nga vendi, tha ajo. Kjo fjalë u zgjodh si më negative në Gjermani në vitin 2023.

“Ndaloni së mbështeturi maskaradën e AfD-së… Bëhet fjalë për deportimin dhe inxhinierinë etnike të një pjese të madhe të shoqërisë gjermane”, theksoi Jeshilkaya Jurtbay.

Në të njëjtën kohë, paralajmëroi ajo, jo vetëm njerëzit me origjinë emigrante janë nën kërcënim, por gjermanët që mbrojnë një shtet të hapur dhe demokratik. /tesheshi.com/