Në 33 vjetorin e themelimit të gazetës Rilindja Demokratike, mbështetës të kreut të “Rithemelimit” Sali Berisha janë mbledhur poshtë banesës së tij, te rruga “Mustafa Metohiti”

Berisha nga ballkoni i shtëpisë së tij, ku ndodhet në masë “arrest shtëpie”, pasi është nën  hetim nga SPAK, ka përshëndetur ndjekësit duke folur nga dritarja e banesës së tij

Ai tha se pa fjalën e lirë, nuk ka mendim. “Pa fjalën e lirë nuk ka dinjitet. Pa dinjitet, njeriu nuk ka vlerë. Liria është bosh, është shkretëtirë e vërtetë. Si ta kuptojmë ne sonte këtë protestë? Ta kuptojmë këtë protestë si një nderim, si një mbështetje për gazetarët shqiptarë, para së gjithash dhe mbi të gjitha”, tha Berisha.

Ish Kryeministri Berisha tha se “sot ndryshe nga koha e diktaturës, skuadrat e pushkatimit nuk janë më, por në vend të tyre është mafia. Sot, liria e shtypit, liria e fjalës realisht po vdes”, theksoi Berisha.

“Duhet të shpreh nderimin tim më të madh, mirënjohjen time më të thellë të pakufishme për ata gazetarë, për ata studentë, por edhe për ata punonjës të Kombinatit Poligrafik, të cilët në një natë vërtet të bardhë, nxorën numrin e parë të Rilindjes Demokratike me datën 6 janar të vitit 1991. Ajo ditë ishte ndoshta si asnjë ditë tjetër. Ai mëngjes i ftohtë ishte ndoshta mëngjesi më i elektrizuar i këtij vendi dhe i këtij kombi. Njerëzit e etur për fjalën e lirë, pritën gjithë natën në katër anët e vendit publikimit të saj”, shtoi Berisha.

“Është në nderin e atyre që e publikuan, është në nderin e atyre intelektualëve të cilët u rreshtuan në anën e vërtetës dhe e shndërruan Rilindjen Demokratike jo vetëm në një zëdhënëse të PD-së dhe pluralizmit, por në një zëdhënëse të fuqishme të të vërtetave shoqërore, politike, kombëtare të shqiptarëve. E shndërruan Rilindjen Demokratike në një mjet anti-censurë të fuqishëm. E shndërruan Rilindjen Demokratike në një avokatë të pamposhtur të interesit kombëtar. Ndaj dhe koha na fton të ngrihemi dhe njëherë, të mos ecim si somnambul. Të mos mashtrojmë vetën. Rroftë liria, rroftë fjala e lirë, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”, përfundoi Berisha.