Izraeli njoftoi se do të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2024 sulmet e tij në Rripin e Gazës, ku ka vrarë mbi 22.835 palestinezë që nga 7 tetori 2023.

Në njoftimin e ushtrisë izraelite thuhet se shefi i Shtabit të Përgjithshëm Herzi Halevi në vizitën e tij në Bregun Perëndimor të pushtuar, ka folur rreth sulmeve të vendit të tij ndaj Gazës.

"Në Gaza do të jemi në luftë. Gjatë gjithë vitit do të luftojmë në Gaza. Kjo është e sigurt", tha ai duke shtuar se viti 2024 do të jetë i vështirë.

Halevi tha se ushtria, e cila është përgjegjëse për kthimin e të zhvendosurve në veri të Izraelit, do ta kryejë këtë detyrë duke "ushtruar presion mbi Hezbollahun", përndryshe "do të çojë në një luftë tjetër".

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari në një deklaratë më parë duke pretenduar se "struktura ushtarake e Hamasit është shpërbërë plotësisht" në veri të Rripit të Gazës, tha se ushtria po fokusohet në "shpërndarjen e Hamasit" në pjesën qendrore dhe në jug të Rripit të Gazës./aa