Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar edhe Korrupsionit ka shtyrë seancën paraprake për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së inceneratorit të Elbasanit, me 10 të pandehur dhe dy kompani.

 

 

Data e seancës së radhës është caktuar më 21 shkurt, ndërsa shkak për shtyrjen e seancës këtë të martë, u bë sipas Gjykatës volumi i pretendimeve. Gjatë seancës paraprake e cila zgjati disa orë, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka thënë se procesi është i montuar dhe akuzat e ngritura ndaj tij janë politike. Mbrojtësi i tij Fatmir Braka ka kërkuar që të pushohen dy akuzat në ngarkim të Kokës, ajo e shpërdorimit të detyrës dhe e pastrimit të parave.

Në linjë të përafërt ka qenë edhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako i cili ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol dhe se të gjithë koncesionin e kanë thirrur anëtarët e komisionit. Bllako pretendoi më tej në pafajësinë e tij duke theksuar se ka zbatuar ligjin.