Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së (OHCHR) i kërkoi Izraelit të nisë hetim mbi pretendimet se ushtria izraelite vrau të paktën 11 palestinezë të paarmatosur para anëtarëve të familjes së tyre në qytetin e Gazës.

"Autoritetet izraelite duhet të fillojnë menjëherë një hetim të pavarur, të plotë dhe efektiv mbi këto akuza dhe nëse akuzat vërtetohen, përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë dhe të zbatohen masa për të parandaluar përsëritjen e çdo shkeljeje të tillë serioze", tha OHCHR në raportin e titulluar "Vrasje të paligjshme në qytetin e Gazës".

Pretendimet "ngrenë alarmin për kryerjen e mundshme të një krimi lufte", tha OHCHR-ja.

Sipas OHCHR-së, ka raportime se ushtria izraelite bastisi ndërtesën Al Awda, e njohur gjithashtu si "ndërtesa Annan", në lagjen Al Remal, ku përveç familjes Annan, ishin strehuar edhe tre familje tjera.

Në raportin e OHCHR-së thuhet se teksa kreu kontrolle në ndërtesën dhe civilët atje, ushtria izraelite dyshohet se i ndau meshkujt nga femrat dhe fëmijët si dhe qëlloi dhe vrau të paktën 11 meshkuj para anëtarëve të familjes së tyre.

Më pas, ushtria izraelite dyshohet se urdhëroi femrat dhe fëmijët të futeshin në një dhomë dhe ose qëlloi mbi ta ose hodhi një granatë në dhomë, duke plagosur rëndë disa, përfshirë një foshnjë dhe një fëmijë.

OHCHR-ja konfirmoi vrasjet, edhe pse detajet dhe rrethanat janë "ende nën verifikim".

Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende informacion në lidhje me incidentin, tha agjencia e OKB-së./aa