Ditë më parë, Franz Beckenbauer, ndryshe “Kaiseri” gjerman i futbollit botëror, dha frymën e fundit në këtë jetë, për të kaluar në botën tjetër.

Ai vdiq në gjumë të dielën mbrëma në moshën 78-vjeçare, duke iu bashkua bashkëlojtarëve dhe rivalëve e vjetër si Gerd Miller, Pele, Diego Maradona, Johan Cruyff dhe George Best.

Bota e futbollit “u përkul” para mbrojtësit më të mirë të botës, kapitenit të Bayern Munichut dhe Gjermanisë Perëndimore, por edhe trajnerit që në vitin 1990 udhëhoqi kombëtaren e vendit të tij për të fituar një tjetër Botëror.

Franz Beckenbauer ishte mik i ngushtë me figura të mëdha të futbollit botëror, të cilët i admironte dhe fliste shumë mirë për ta.

“Pele, si Mozart”

Me Pele, Beckenbauer ishin kundërshtarë në ndeshjet e Gjermanisë Perëndimore me Brazilin dhe bashkëlojtarë në ekipin e New York Cosmos, të cilit “Kaiser” iu bashkua në 1977.

“Pele është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Ai mbretëroi për 20 vjet. Të gjithë të tjerët, Diego Maradona, Johan Cruyff, Michel Platini, renditen poshtë tij. Nuk ka njeri që krahasohet me Pelen”, do thoshte “Kaiser”-i me rastin e vdekjes së Peles.

Për kohën e tyre së bashku në New York ai vuri në dukje: “Unë i pasoja topin Peles dhe e shikoja duke luajtur, ai ishte si Mozart. Atë vit, të luaja me të ishte absolutisht e mrekullueshme”.

“Një gjeni që kishte humbur kontrollin e jetës së tij”

Diego Maradona luajti në epokën pas Beckenbauer, por “Kaiser” u përball me të si trajner në dy finale të Kupës së Botës. Në vitin 1986 në Meksikë fitoi Argjentina e Maradonës dhe në 1990 në Itali fitoi Gjermania e “Kaiser”-it.

Kur u shua Maradona, Franz tha: “Ai ishte gjithmonë i mirë, gjithmonë miqësor, kur u takuam. më pëlqeu. Në dy finalet e Kupës së Botës kundër Argjentinës (1986 dhe 1990) Diego ishte problemi im më i madh. Në Meksikë në 1986 ai ishte në kulmin e tij dhe i pandalshëm.

Pele fitoi Kupën e Botës tre herë. Dhe për mua Maradona vjen menjëherë pas tij. Ai ishte më shumë se një lojtar, ai ishte një artist. Ai ishte një gjeni që padyshim që kishte humbur kontrollin e jetës së tij vitet e fundit”.

“Messi, një lojtar hyjnor”

Ndër lojtarët më të rinj, atij i pëlqente të shikonte Lionel Messin. Por nuk është deklaruar nëse e kishte parë më të lartë se Diego Maradona, por e kishte idolizuar atë disa herë.

Ai e quajti Messin një gjeni, por edhe një lojtar hyjnor. “Messi është një gjeni”, do thoshte ai gjatë viteve kur argjentinasi luante në Barcelonë, ndërsa në një deklaratë më të fundit kishte nënvizuar: “Messi ngjan të jetë një lojtar hyjnor”.

Rreth asaj që saktësisht i pëlqente te Messi, do thoshte: “Ai ka gjithçka. Kur e shikoj, shoh një lojtar që është shumë, shumë i shkathët, shumë inteligjent dhe këmba e tij e majtë është si e Diego Maradonas”.

“Futbollisti më i mirë evropian”

Me Johan Cruyff ishin rivalë në finalen e Botërorit 1974 mes Gjermanisë Perëndimore dhe Holandës, ndërsa e kishte takuar edhe në kampionatin amerikan.

 

Kishte respekt midis tyre dhe gjermani e konsideronte atë si lojtarin më të lartë në Evropë.

“Ai nuk ishte vetëm një mik shumë i mirë, por edhe një vëlla për mua,” tha ai për Cruyff kur vdiq. “Ai ishte padyshim që Futbollisti më i mirë ka prodhuar Evropa. Kur lojtarët si Bale dhe Ronaldo kanë vlerë rreth 100 milion euro, Johan vlente miliarda”.

Konsideratat e tjera

Për të madhin George Best, të cilin e ka takuar në Evropë por edhe në SHBA, ka theksuar: “George Best ishte një nga lojtarët më të talentuar të të gjitha kohërave dhe ndoshta futbollisti më i mirë që nuk ka luajtur kurrë në Botëror”.

Për shokun e tij të skuadrës në Bayern Munich dhe kombëtaren e Gjermanisë Perëndimore, golashënuesi i madh, Gerd Müller, ai kishte një thënie të mrekullueshme: “Ajo që është bërë Bayern, është falë Gerd Müller”.

 

Rreth Zinedine Zidane ka thënë: “Zidane është unik. Topi rrotullohet me të. Ai duket më shumë si një balerin sesa një lojtar futbolli”. /tesheshi.com/