Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se porti i Durrësit, në Porto Romano do të ndërtohet me financim të brendshëm.

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes dy ditore së fillimvitit për prioritetet e 2024, që u mbajt në Lezhë, Rama tha se do të bëhet së shpejti një ndryshim për sa i përket financimit.

“Kemi kalendarizuar procesin për hapjen e garës ndërkombëtare për portin e madh të Durrësit, Porto Romano. Së shpejti do të bëjmë një ndryshim të natyrës së financimit, pasi është një projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike, duke qenë se kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të portit”, deklaroi Rama.

Për këtë, kryeministri informoi se tashmë qeveria është në një fazë të avancuar të shkëmbimit të informacionit me NATO-n.

“Do të kalojmë me financim të brendshëm, në mënyrë që të mos varemi nga kohët e tejzgjatura dhe nga ngarkesat e tjera që burojnë nga financimi i huaj”, shtoi Rama./ata