Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se brenda vitit pritet të përfundojë segmenti hekurudhor Tiranë-Durrës, ndërsa po diskutohet edhe gjetja e financimit për 4 km që lidh Kasharin me qendrën e Tiranës.

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes dyditore të fillimvitit për prioritetet e 2024, që u mbajt në Lezhë, Rama informoi se në fillim të vjeshtës pritet të nisin punimet edhe për ndërtimin e aksit Vorë-Hani i Hotit.

“Jemi në kalendar për të përfunduar me segmentin hekurudhor Tiranë-Durrës, sipas gjasave brenda vitit. Ndërkohë, kemi diskutuar financimin e 4 km që duhet për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës. Jemi në proces dhe besoj se në fillim të vjeshtës do të lidhim dhe kontratën për të filluar punën në segmentin hekurudhor që lidh Vorën me Hanin e Hotit.

Kryeministri bëri të ditur se qeveria ka përfituar nga fondet europiane për ndërtimin e segmentit Durrës-Rrogozhinë, ndërsa theksoi se po punohet edhe për financimin e segmentit Rrogozhinë-Pogradec.

“Kemi fituar nga fondet europiane për segmentin Durrës-Rrogozhinë, ndërkohë që kemi përgatitur aplikimin tjetër për të shkuar më poshtë me ndërtimin e segmentit Rrogozhinë-Pogradec që të kompletojmë Korridorin 8 dhe me vijën hekurudhore”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, informoi kryeministri, adresuam nevojën për financim të bajpasit të Elbasanit, në kushtet kur Korridori 8 po ecën me shumë shpejtësi, falë edhe terrenit dhe gjeologjisë së favorshme./ata