Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka organizuar një pritje zyrtare me përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri dhe organizatave të ndryshme me rastin e festës së Vitit të Ri, ndërkohë në fjalimin e tij u fokusua në disa çështje.

Sipas njoftimit të Presidencës së Shqipërisë, në fjalën e tij në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Begaj theksoi se vitin e shkuar, Shqipëria dha një kontribut të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

"Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuara me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal. Shqipëria gjithashtu do të vijojë të japë kontributin për paqe në rajon dhe më gjerë, sepse paqja është themeli i mirëqenies, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektit të ndërsjellë", është shprehur Begaj.

Duke folur për zhvillimet në rajon, Begaj tha se zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie për rajonin dhe Evropën.

Ai shtoi se situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është delikate dhe kërkon vëmendje, sipas tij, "pasi ka ende aktorë politikë, të cilët nuk janë shkëputur nga e kaluara konfliktuale".

Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar, tha Begaj dhe shtoi se faktori shqiptar ka kontribuuar dhe do të vijojë të kontribuojë për paqen dhe sigurinë e rajonit.

Begaj theksoi se Shqipëria mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe integrimin e saj euro-atlantik.

"Po përballemi me kriza dhe kërcënime. Ato janë të shumëllojshme për nga natyra dhe shpesh të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën. Këto kriza dhe kërcënime gjejnë shprehje në zvarritjen, dhe shpesh në dështimin e dialogut, në sulmin ndaj parimeve demokratike të qeverisjes dhe në krijimin e ligjërimeve dhe veprimeve diametralisht të kundërta", u shpreh Begaj.

Duke folur për konfliktin Izrael-Palestinë, Begaj theksoi se mbështesin zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, "në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin"./aa