Shqipëria është në krye të listës së udhëtimeve të sugjeruara nga mediet suedeze “Livsstil” dhe “Dagens Nyheter”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimet për Shqipërinë të botuara në këto medie.

“Nga veriu në jug, një udhëtim në të cilin të shoqërojnë rrënoja të lashta, male magjike, plazhe të bukura me rërë të imët, fshatra të rrallë dhe detet e kristalta, Shqipëria përshkruhet si një nga brigjet më piktoreske të Mesdheut”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se “rreth 5000 vizitorë nga Suedia kemi pritur në tre muajt e parë të vitit 2024, ose 59% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, duke qenë një ndër tregjet me shumë potencial”.

“Dagens Nyheter” në shkrimin e saj përshkruan udhëtimin me traget në liqenin e Komanit, si dhe vizitat në qytetet e Shkodrës, Krujës, si dhe plazhet e Durrësit, Himarës, Vlorës, Porto Palermos, Palasës, Dhërmiut etj.

Ndërsa media tjetër suedeze “Livsstil” përshkruan qytetin e Sarandës dhe plazhet e tij të kristalta.

Mediet ndërkombëtare, në shkrimet e botuara prej tyre, vijojnë të sugjerojnë Shqipërinë si një ndër vendet që duhet vizituar.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./ata