Pretendohet se sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, u ka përcjellë zyrtarëve izraelitë mesazhin se Arabia Saudite është gati të normalizojë marrëdhëniet me Tel Avivin në rast se pranon zgjidhjen me dy shtete që parashikon krijimin e shtetit të pavarur të Palestinës.
Faqja e lajmeve "Axios" që publikon në SHBA, ka paraqitur disa pretendime lidhur me planin në sfond të takimit që Blinken zhvilloi ditë më parë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Në lajmin i cili bazohet në zyrtarë amerikanë dhe izraelitë të paidentifikuar, thuhet se në takimin Blinken-Netanyahu në rend dite kanë qenë planet për Rripin e Gazës pas sulmeve dhe normalizimi i marrëdhënieve Arabi Saudite-Izrael.
Pretendohet se Blinken i ka përcjellë Netanyahut mesazhin se Arabia Saudite është gati të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin pas përfundimit të sulmeve të tij kundër Gazës. Theksohet se Arabia Saudite për normalizimin me Izraelin ka vendosur kusht krijimin e shtetit të pavarur të Palestinës dhe ka theksuar se nuk do të ndërmarrë hapin në fjalë me Tel Avivin nëse ky kusht nuk plotësohet.
Sekretari amerikan i ka përcjellë qeverisë izraelite mesazhin se Arabia Saudite dhe vendet e tjera arabe nuk do të ofrojnë kontribut për planet në Gaza kryesisht për procesin e rindërtimit pas sulmeve, nëse nuk kërkohet rrugë për zgjidhjen me dy shtete i cili parashikon krijimin e shtetit të pavarur të Palestinës.
Në konferencën për media që zhvilloi pas takimit me kryeministrin izraelit, Blinken tha se "Nëse Izraeli dëshiron që fqinjët e tij arabë të marrin vendime të vështira të nevojshme për të garantuar sigurinë e tij të përhershme, edhe liderët izraelitë janë të detyruar të marrin vendime të vështira".
Në kuadër të turit të tij nën Lindjen e Mesme, Blinken vizitoi Türkiyen, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Arabinë Saudite dhe më pas Izraelin./aa