Koreja e Veriut ka kryer ekzekutime publike të njerëzve që kanë shkelur rregullat e COVID-19 në vitet e mëparshme, sipas një raporti të think tank-ut shtetëror të Koresë së Jugut.
Ky informacion u zbulua në Librin e Bardhë për të drejtat e njeriut, të botuar nga Instituti i Koresë i Unitetit Kombëtar, duke cituar një të arratisur koreano-verior i cili mbërriti në Seul vitin e kaluar.
Megjithatë, grupi i ekspertëve nuk ndau asnjë detaj të mëtejshëm në lidhje me ekzekutimet e supozuara publike nga frika e hakmarrjeve kundër anëtarëve të familjes së të arratisurit.
Agjencia e Lajmeve Yonhap raporton se Koreja e Veriut në korrik 2020 raportoi rastin e parë të COVID-19, kurse në gusht 2022, Pheniani shpalli fitoren mbi pandeminë dhe hoqi të gjitha masat kufizuese.
Koreja e Veriut nuk ka ndarë kurrë asnjë detaj me botën e jashtme, por media shtetërore ka raportuar se 4,7 milionë njerëz janë shëruar nga koronavirusi, me një shkallë vdekjeje prej 0,0016 për qind.
Libri i Bardhë gjithashtu akuzon Korenë e Veriut për bllokimin e qasjes në informacione.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë përgjigje apo reagim nga Koreja e Veriut për këtë raport.
Në vitin 2020, Koreja e Veriut miratoi një ligj që kufizon shikimin ose shpërndarjen e përmbajtjes që lidhet me mediat e Koresë së Jugut, SHBA-në dhe vendeve të tjera./aa