Kryeministri i Kosovës e ka pritur me ceremoni shtetërore kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, i cili vjen për herë të parë në Kosovë.
Pas takimit të zhvilluar në Qeverinë e Kosovës, kryeministri Kurti dhe homologu i tij irlandez Varadkar, kanë mbajtur konferencë për media.
Kurti në fjalën e tij tha se Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësim si në Këshillin e Evropës e po ashtu edhe në Bashkimin Evropian (BE).
Kurti tha se Irlanda ka dhënë mbështetje edhe në sigurinë e Kosovës nëpërmjet pjesëtarëve të saj në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR.
"Takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për të diskutuar mbi marrëdhëniet tona dypalëshe për mundësitë që kemi para vetes për t’i thelluar ato, sa në rrafshin ekonomik e tregtar, ashtu edhe në kulturor, politik e diplomatik", theksoi Kurti.
Kryeministri irlandez, Leo Varadkar tha se Irlanda është një prej vendeve të para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa shtoi se është krenar për kontributin e ushtarëve irlandezë në kuadër të KFOR-it, si dhe ata në kuadër të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit - EULEX.
Varadkar tha se Irlanda do ta përkrahë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sivjet dhe të fillojë procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
Kryeministri irlandez tha se Kosova po tregon zotim ndaj vlerave evropiane, derisa vlerësoi se masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës të vendosura gjatë vitit 2023 për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, duhet të hiqen.
"Është qëndrimi i Qeverisë Irlandeze që besojmë se masat kufizuese që i janë vënë Kosovës duhet të hiqen dhe ky është një pozicion që ja kam shpalosur kryeministrit por e kam bërë edhe zyrtarisht. Po ashtu, është shumë me rëndësi që komunat me shumicë serbe të zgjedhin kryetarët e tyre në mënyrë demokratike dhe ata të përfaqësojnë qytetarët e këtyre zonave", theksoi Varadkar.
Tutje, Varadkar ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të bëhet, por nuk duhet të ketë mikro-shtet brenda Kosovës.
Kryeministri irlandez do të pritet gjatë ditës edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa do të zhvillojë takim edhe me pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it./aa