Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kenani dënoi sulmin ajror të kryer nga avionët luftarakë amerikanë dhe britanikë në Jemen.

“Dënojmë fuqishëm sulmet ushtarake të kryera nga SHBA-ja dhe Britania në qytete të ndryshme në Jemen”, ka thënë Kenani, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA.

Kenani e ka cilësuar sulmin si shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit dhe ligjeve ndërkombëtare.

“Ky sulm arbitrar nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të nxisë pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë në rajon. Kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që me reagime dhe veprime të përgjegjshme të parandalojë përhapjen e luftës, paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë në rajon”, ka deklaruar ai.

Burimet lokale në Jemen njoftuan se avionët luftarakë të SHBA-së dhe Britanisë kanë kryer sulm ajror kundrejt disa pikave në qytetet Sana, Al-Hudaydah dhe Taiz të Jemenit gjatë orëve të natës.

Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Britanisë erdhën si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme me dronë dhe raketa nga grupi jemenas, i cili mbështetet nga Irani, në rrugët ndërkombëtare të anijeve në Detin e Kuq që filluan në nëntor si përgjigje ndaj luftës së Izraelit në Gaza.

Deti i Kuq është një rrugë ujore kritike për tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht për dërgesat e naftës dhe karburantit, që lidh Kanalin e Suezit në Egjipt me Gjirin e Adenit nëpërmjet ngushticës Bab al-Mandab. Kanali i Suezit lejon anijet që vijnë nga Evropa të kalojnë tranzit drejt Azisë pa pasur nevojë të marrin rrugën shumë më të gjatë dhe më të kushtueshme rreth bririt jugor të Afrikës.

Houthit kanë kryer 27 sulme në Detin e Kuq që nga 19 nëntori, njoftoi dje ushtria amerikane./aa