Kryeministri Edi Rama deklaroi sot sistemi i Dhomave të Tregtisë duhet të bëhet një sistem europian, sepse jemi një vend që nuk kemi asnjë sistem.

Në fjalën e tij në çeljen e Shtëpisë së Biznesit tek Piramida, Rama tha se “kemi dhoma, dhoma, dhoma, por nuk kemi shtëpi. Nuk e kemi një shtëpi për biznesin. Kemi dhoma. Po ku është dhoma e pritjes? Nuk dihet! Janë të gjitha dhoma gjumi”.

“I kemi rënë vërdallë e vërdallë të paevitueshmes, sepse është një gjë që nuk imponohet dot e gjitha nga lart dhe prandaj kemi pritur që të piqen disa kushte që vetë komuniteti të kuptojë që kjo mënyrë organizimi ku secili bashkë me tre shokë bën Dhomën e vetë, është Bathorja e sipërmarrjes. Ne këtë e kemi bërë me të gjitha gjërat në vitet e lirisë, në kërkim të demokracisë. Bathorja, të cilës i referohemi është vetëm njëra që është ajo që ne e dimë dhe që lidhet me ndërtimin kuturu, në një territor pa kanalizime, pa ujësjellës, pa asgjë, por ne kemi ndërtuar “Bathore” në çdo sektor të jetës edhe brenda pushtetit ekzekutiv”, theksoi Rama.

Mjafton, shtoi Rama, të shikosh historinë e strukturave që janë ndërtuar e janë prishur e janë rindërtuar e ri prishur të organizimit të qeverisjes.

“Mjafton të shikosh historinë e dixhitalizimit e të kioskave që janë ndërtuar. Mjafton të shikosh e të shikosh, mund t’ju sjell shembuj pa fund, për të kuptuar se sa shumë e kemi paguar mungesën e traditës, mungesën e dijes, mungesën e organizimit, mungesën e koordinimit dhe mungesën e kuptimit që secili bën punën e vet, por të gjithë bashkë, duhet të ndërveprojmë që puna e secilit të bëhet më mirë”, tha Kryeministri Rama./ata