Ditën e sotme u zhvillua takimi i Kryesisë së Akademisë së Shkencave me drejtuesit dhe stafin e Institutit të Historisë dhe Arkeologjisë, si dhe drejtuesit dhe stafin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Institutin e Antropologjisë, Qendrën e Studimit të Arteve dhe Qendrën e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Akad. Skënder Gjinushi u bëri të njohur të pranishmëve aktet e miratuara nga qeveria, Asambleja dhe Kryesia për të realizuar ngritjen e instituteve të albanologjisë si njësi kërkimore të vijës së parë, siç e kërkojnë shkencat e identitetit, prioritet themelor në strategjinë e zhvillimit të ASHSH dhe të sistemit të kërkimit shkencor të vendit.

Ashtu siç është parashikuar në këto akte, ndërprerja e mënyrës së mëparshme të organizimit dhe kalimi i instituteve të albanologjisë prej një varësie në linjë administrative në përbërje të rrjetit të ASHSH, përkundër sa është thënë ndonjëherë, jo vetëm nuk e cenon, por e zgjeron dhe fuqizon autonominë akademike, thuhet në njoftimin e ASHSH.

Sipas ASHSH, dy të tretat e anëtarëve të këshillave shkencorë të instituteve do të jenë të brendshëm dhe një e treta nga radhët e ekspertëve më cilësorë të fushës.

“Ndarja e buxhetit nuk do të bëhet më nga një bord administrimi që kontrollohej nga ministria, por nga bordi i drejtorëve. Disa kontradikta që vërehen në institucionet e arsimit të lartë midis drejtuesve të tyre (rektorat, dekanat) me bordet nuk do të ekzistojnë më. Niveli i pagave është ruajtur në shkallën “universitet”, që është më e larta. Organika e përgjithshme e punonjësve shkencorë është shtuar me katër vende dhe do të kërkohen ndryshime të reja, p.sh. për specialistë me formim të thelluar, duke përfshirë gjuhët e rralla”, theksoi ASHSH.

“Buxheti, ashtu si më parë, do të jetë me grante dhe i trashëgueshëm. Bordi i drejtorëve dhe Kryesia do të bëjnë vlerësimin e përparësive, të tjerat do të vendosen nga vetë institutet”, thuhet në njoftim.

ASHSH bënë të ditur se, për mënyrën si do të ishte më mirë të organizoheshin departamentet, duke filluar prej emërtimit të tyre, do të diskutohet deri në fund të muajit tetor.

Ndërkohë, shton ASHSH, do të jetë hartuar një rregullore bazë e brendshme për institutet dhe qendrat, do jetë këshilluar Statuti para se t’i kalojë Asamblesë për miratim përfundimtar.

Kryetari Gjinushi paraqiti me këtë rast drejtuesit e rinj të instituteve dhe qendrave; përbërjen e këshillave shkencorë; strukturat, organikat, listat emërore të punonjësve dhe nivelet e pagave të tyre për tre grupet: punonjës kërkimorë-shkencorë, punonjës tekniko-shkencorë dhe të administratës ndihmëse. Anëtarësia e këshillave shkencorë ekzistues qendron sërish, shtesat ruajnë dy të tretat brenda institucioneve.

Drejtuesit e instituteve do të jenë akad. Adem Bunguri (IA), prof. dr. Hamit Kaba (IH), akad. Valter Memisha (IGJL), prof. asoc. dr. Olsi Lelaj (IA), akad. asoc. Stefan Çapaliku (Q.S.A.) dhe prof. asoc. Marenglen Kasmi (QBEA), falënderuan Kryesinë për detyrat që iu mirëbesuan dhe u shprehën optimistë për mbarëvajtjen e punëve në vitin kalimtar e më tej./ata