Kukësi ishte ndalesa e radhës e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në turin që ka nisur nëpër qytetet e Shqipërisë. Këngët nga të gjitha krahinat dhe vallet e Jugut dhe Veriut, ashtu siç vetëm Ansambli Popullor di të sjellë, u ngjitën në skenën e Pallatit të Kulturës në Kukës, duke dhuruar një mbrëmje të paharrueshme në këtë prag festash. Në vijim artistët do të zhvillojnë koncert dhe në qytete të tjera. Pak ditë më parë skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, çoi në Shkodër këngë e valle tradicionale, me orkestrën, solistët, grupin e valleve, dhe grupin koral të Ansamblit Popullor, nën kujdesin e Brikena Jaupajt dhe Alban Tahirit. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik, duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi.

Ju rekoman