Me rastin e Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër Julian, në Komunën e Vevçanit në Maqedoninë e Veriut është mbajtur manifestimi tradicional “Karnavali i Vevçanit”.

Ky karnaval konsiderohet si një nga kuriozitetet më të mëdha kulturore unike në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, me një traditë mbi 1.400 vjeçare. Karnavali i Vevçanit, i cili mbahet me rastin e Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër, njihet për paraqitjen satirike të ngjarjeve të jetës publike dhe politike, nëpërmjet maskave dhe personifikimit të ndryshëm.

Festivali sivjet u mbajt pa bori e daulle dhe pa valle tradicionale në qendër të fshatit, për shkak të vdekjes së një djali të ri nga ky vend, i cili mbrëmë humbi jetën në një aksident trafiku.

Në këtë ngjarje pati një paradë minimale të pjesëmarrësve të maskuar.

Organizatorët zyrtarë të manifestimit kanë theksuar se për shkak të tragjedisë së ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, programi muzikor në Karnavalin e Vevçanit anulohet.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një komunikate njoftoi se aksidenti ka ndodhur mbrëmë vonë, një orë pas mesnate./aa