Kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut dërgoi urime me rastin e Festës së Ramazan Bajramit, duke uruar paqe, begati dhe harmoni.

Në urimin dërguar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, urohet lumturi dhe gëzim, si dhe prosperitet dhe zhvillim.

“Pikërisht në frymën e festës, jo vetëm në tre ditët e festave të ardhshme, por edhe gjatë gjithë vitit të jetojmë në paqe dhe harmoni, të jemi të bashkuar dhe të sjellshëm, të mbushur me lumturi dhe gëzim. Të gjithë të bashkuar me të afërmit tanë, me fqinjët tanë të afërt e të largët, të ndajmë një vizion të mirëqenies, prosperitetit dhe zhvillimit të atdheut tonë të përbashkët”, thuhet në urimin e presidentit Pendaroski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në urimin e tij thekson se kjo është një festë që i bashkon familjet dhe të afërmit ndër shekuj, si dhe nxit solidaritetin dhe forcën shpirtërore te njerëzit për respekt të ndërsjellë.

“Ramazan Bajrami, uroj të sjellë shëndet, paqe, mirëqenie dhe harmoni në shpirt, në familje, në shtet. Është festë që i bashkon familjet, të afërmit, miqtë, fqinjët ndër shekuj, duke përcjellë mesazhin e vlefshëm se vetëm lumturia e përbashkët sjell lumturi të vërtetë. Është festë e cila nxit solidaritetin dhe forcën shpirtërore te njerëzit për respekt të ndërsjellë, për durim dhe mirëkuptim, si rrugë e vetme drejt paqes së dëshiruar. Prandaj, le të bëjmë vepra të mira, le të jemi gjithmonë pranë njëri-tjetrit dhe me dorën e shtrirë ndaj njëri-tjetrit të përparojmë bashkë të gjithë”, thuhet në urimin e kryeministrit Xhaferi.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame dhe qytetarëve të besimit islam u dërgoi mesazh urimi, duke uruar që ditën e sotme ta kalojnë në lumturi, mirëqenie dhe në harmoni me të dashurit e tyre.

“Besoj se pas një muaji agjërim, të gjitha dëshirat Tuaja do të dëgjohen, ndërsa respekti i ndërsjellë, mirëkuptimi, toleranca dhe humanizmi, që duhet të jenë pasqyrë e çdo njeriu, do t'ju ndihmojnë në përmbushjen e tyre. Festat fetare e ngrenë lart dashurinë ndaj njeriut, kështu që muajin që lamë pas treguam se nuk ka rëndësi se cilës fe i përkasim, por rëndësi ka respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, që na bëjnë të gjithëve më të mirë dhe më të pasur shpirtërisht”, theksoi kryetari i Kuvendit, Mitreski.

Me rastin e Festës së Ramazan Bajramit, urime dërguan edhe zyrtarë të tjerë dhe personalitete të tjera të jetës publike./aa