Një ditë pasi paralajmëruan bashkëpunimin për reformën zgjedhore dhe për këtë thirrën edhe ekseprtizën ndërkombëtare, dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm të kësaj reforme, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Enkelejd Alibeaj kanë zhvilluar takime të ndara për përfaqësues të misionit të OSBE/ODIHR-it.

Takimet fillimisht kanë nisur në Kryesinë e Kuvendit me Gjiknurin, ndërsa aktualisht 3 ekspertët e huaj po zhvillojnë dhe një tjetër takim me Alibeajn.

Një ditë më parë, në një kohë që demokratët e drejtuar nga Sali Berisha, deklaruan se nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa konsensusin e të gjitha palëve, demokratët e Lulzim Bashës nuk humbasin kohë për të nisur punën për realizimin e kësaj reforme.

Burime nga mazhoranca dhe nga PD-ja zyrtare e Bashës pritet që këtë javë të mblidhet Komisioni i Reformës Zgjedhore.

Me këtë lëvizje, komisioni Gjiknuri e Alibeaj nuk pranon kërkesën e Gazment Bardhit për ndryshimin e përbërjes së komisionit të reformës zgjedhore, ndërsa lajmërojnë mbledhjen e komisionit këtë javë.

Më herët gjatë ditës së djeshme, në një konferencë me gazetarët, demokrati i “Rithemelimit” Oerd Bylykbashi shpjegoi se reforma elektorale, e cila përcakton rregullat e garës zgjedhore nuk mund të bëhet duke kërkuar numra siç ka deklaruar kryeministri Edi Rama.