Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ndarë një foto nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ku shfaqet në krah të delagecionit ukrainas në KiE.

 

Basha thekson se pjesë e diskutimit ishte mbështetja që bota perëndimore duhet të japë për Kievin, dhe të dënojë agresionin rus.

 

Ai risjell në vëmendje dhe rezolutën e propozuar prej tij në Këshillin e Evropës për detyrimin që ka Rusia për të kompensuar ekonomikisht të gjitha dëmet e kryera gjatë luftës në Ukrainë.

 

“Me delegacionin e Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku folëm për mbështetjen që bota demokratike duhet ti japë Ukrainës në luftën e drejtë kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë.

 

Federata Ruse ka detyrimin sipas të drejtës ndërkombëtare të kompensojë Ukrainën, qytetarët, kompanitë dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme të Federatës Ruse që janë kryer gjatë agresionit të saj të paligjshëm.

 

Për këtë arsye kam propozuar një rezolutë e cila është mbështetur gjerësisht nga anëtarët e Asamblesë Parlamentare. Rezoluta bën thirrje për bashkëpunimin mes vendeve anëtare të Këshillit të Europës dhe vendeve të tjera, me synim konfiskimin e aseteve sovrane të Federatës Ruse në këto shtete, dhe krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës”, shkruan Basha në facebook.