Katari ka bërë të ditur se ka ndërmjetësuar me sukses një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit që do të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare për civilët në Gaza në këmbim të dërgimit të ilaçeve për pengjet izraelite të mbajtur nga grupi palestinez në enklavë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majid bin Mohammed Al Ansari, për agjencinë e lajmeve të Katarit ‘QNA’ tha se marrëveshja është një përpjekje e përbashkët midis Katarit dhe Francës.

Al Ansari tha se ndihma humanitare është planifikuar të dërgohet nesër në qytetin egjiptian El Arish me dy avionë të Forcave të Armatosura të Katarit para se të arrijnë në Rripin e Gazës.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të paktën 24.285 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 61.154 të tjerë janë plagosur.

Sipas OKB-së, 85 për qind e popullsisë së Gazës tashmë është zhvendosur brenda vendit për shkak të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa