Zyrtarët ushtarakë amerikanë po hetojnë një balonë të madhe dhe ngarkesë të zbuluar nga peshkatarët në brigjet e Alaskës javën e kaluar, sipas Departamentit të Mbrojtjes.

“Një anije peshkimi tregtare amerikane gjeti pjesë të … asaj që duket të jetë një balonë e madhe dhe ngarkesë e kapur në rrjetat e tyre ndërsa peshkonin në brigjet e Alaskës”, sipas një lajmi të botuar nga USA Today, duke cituar Sue Gough, zëdhënëse e Departamentit të Mbrojtjes.

Pas raportimit të peshkatarëve, roja bregdetare u njoftua dhe ata udhëzuan anijen të mbante materialin në bord derisa zyrtarët të mund ta merrnin atë kur varka të kthehej në port, ka thënë Gough.

FBI, në një deklaratë, konfirmoi se është në dijeni për mbetjet e gjetura në brigjet e Alaskës nga një anije peshkimi dhe ka ofruar ndihmë në rikuperimin e tyre.

Hetimi për balonën dhe ngarkesën e tij është ende në vazhdim, ndërsa qëllimi i pranisë së balonës në brigjet e Alaskës mbetet i panjohur.

Zbulimi dhe rrëzimi i mëpasshëm i një balone kineze spiunazhi që lëvizte mbi SHBA vitin e kaluar shkaktoi një përçarje diplomatike me Kinën. Incidenti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare, duke hedhur dritë mbi tensionet rreth aktiviteteve të spiunazhit dhe shkeljeve të hapësirës ajrore territoriale./aa