Sot mbushen plot 556 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, më 17 janarin e vitit 1468, në Lezhë.
Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve.
I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.
Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare.
Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbej mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.
Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe mbrojtës i Kristianizmit.
Arriti të ndalonte për 25 vite me rradhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Europës Kristiane.
Në Shqipëri, Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysëmperëndie që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.
Sot në Shqipëri kujtimi i tij është mjaft i gjallë, dhe kështu në nder të tij, që nga dita kur ai vdiq, mbiemri i tij u kthye ne emër nderi për djemtë.
Dhe kështu njerëzit emërojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që këta fëmijë t’i ngjajnë këtij Heroi. Për këtë në Shqipëri është një nder të quhet dikush Kastriot, por edhe një përgjegjësi e madhe që të mund ta nderojë dikush këtë emër në çdo moment.