Informacioni dhe komunikimi janë gjithnjë e më shumë mjete të domosdoshme për të ndihmuar në krijimin e një ndërgjegjeje të përbashkët, kuptohet si një element i domosdoshëm për konsolidimin demokratik të lidhjeve kulturore e civile ndërmjet vendeve, tha sot presidenti i Asamblesë Rajonale të Siçilisë, Gaetano Galvagno.

Deklarata e tij erdhi gjatë një fjalimi në “Palazzo dei Normanni”, në Palermo, në takimin e përgjithshëm të 32-të të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) – ku ATSH është anëtare me të drejta të plota – në prani të përfaqësuesve të agjencive të shtypit mesdhetar.

Në këtë konferencë, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) u përfaqësua nga drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa.

“Sipas këtij këndvështrimi, merr një rëndësi më të madhe veçanërisht kur në botë, konfliktet e vazhdueshme rrezikojnë të ngadalësojnë ose ndalojnë proceset e zhvillimit”, tha Galvagno.

“Në këtë kuadër, Siçilia kërkon sërish të paraqitet si një vend paqeje dhe për këtë arsye fokusohet në qendrën e saj gjeografike, historinë e saj dhe pozicionin e saj strategjik brenda pellgut të Mesdheut”, shtoi presidenti i Asamblesë Rajonale të Siçilisë.

Konferenca e 32-të e AMAN-it u hap nga CEO i ANSA-s Stefano De Alessandri.

E themeluar në vitin 1991, Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) ka sot 21 anëtarë nga zona euro-mesdhetare me synimin për të rritur informacionin dhe komunikimin për krijimin e një ndërgjegjeje të përbashkët të nevojshme për konsolidimin e lidhjeve midis vendeve mesdhetare; e një dialogu për të drejtat e njeriut, zhvillimin socio-ekonomik, kulturor, shkencor dhe mjedisor.

Për takimin vjetor, që zhvillohet në selinë e Asamblesë Rajonale të Siçilisë, temat e propozuara janë ato të energjisë së rinovueshme dhe turizmit të qëndrueshëm në Mesdhe.

“Doja t’ju falënderoja për organizimin e konferencës në Palermo me agjencitë e lajmeve mesdhetare mbi tema të rëndësishme si energjia e rinovueshme dhe turizmi i qëndrueshëm”, tha presidenti i Rajonit të Siçilisë, Renato Schifani, në një videomesazh dërguar pjesëmarrësve në takimin e AMAN-it, që po zhvillohet në “Palazzo dei Normanni”, në Palermo.

“Jam i sigurt se nga ndërhyrjet do të dalin këshilla të dobishme për të shfrytëzuar sa më mirë mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe social për ishullin tonë në sektorë të konsideruar strategjikë nga qeveria ime, nisur nga roli që Siçilia mund të ketë si qendër hidrogjenore mesdhetare”, shtoi ai.

“Shpresoj gjithashtu që këto dy ditë pune mund të shërbejnë për të konsoliduar lidhjet mes vendeve mesdhetare dhe për të forcuar dialogun për çështje të tilla si migrimi, paqja, siguria, të drejtat e njeriut”, theksoi Schifani.

“Siçilia, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, por edhe për shkak të historisë së saj mijëravjeçare, mund dhe duhet të ketë një rol qendror në pellgun e Mesdheut për të përfaqësuar një urë ekonomike dhe kulturore midis Evropës dhe Afrikës”, tha ai./ata