Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në seancën plenare të së enjtes kërkoi fjalën për të parashtruar disa pyetje për ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në lidhje me përfitueshmërinë e bursës 400 mijë lekë për studentët në degë prioritare.

Xhixho tha se, “për shkak të shpopullimit, qeveria mori një iniciativë disa vite më parë për të nxitur studentët të ndjekin studimet në degët prioritare, të ekonomisë së vendit, duke i alokuar studentëve një bursë mujore, sa paga minimale 40 mijë lekë”.

Sipas saj, në qershor 2023, qeveria miratoi një VKM që hiqte mesataren për përfituesit e bursës.

“Pra mjaftonte që studentët të regjistrohen në degët prioritare që kishte përcaktuar qeveria dhe automatikisht do të ishin dhe përfitues të bursës. Pas VKM ndodhi edhe një komunikim publik i ish-ministres Kushi, ku thonte ‘që shkoni në këto degë, pasi është hequr mesatarja  8.5”, u shpreh Xhixho.

Por sipas saj, nxitur nga një investigim i medias, rezulton se në Universitetin Bujqësor të Tiranës, numri i studentëve në 2024 në këtë universitet u rrit në 346 studentë nga 234 që ishin në 2023.

Pra, tha ajo, duhet të ishin 346 studentë që duhet të përfitonin nga bursa 40 mijë lekë në muaj.

“Por faktikisht nga investigimi rezulton që vetëm 80 studentë kanë përfituar bursë mujore 40 mijë lekë. Nga ana tjetër nga 1200 studentë që janë regjistruar në rang vendi në këto degë, kanë përfituar sipas shkresës zyrtare të ministrisë vetëm 334 studentë. Pra vetëm 1/4 e studentëve të regjistruara në degët prioritare kanë përfituar bursë”, tha Xhixho.

“Ky është një mashtrim i madhe dhe pyes ministren pse nuk kanë përfituar të gjithë studentët dhe mbi cilën bazë janë përjashtuar ata për të mos e përfituar bursën”, theksoi Xhixho./ata