Një ndër zonat më të frekuentuara në Durrës, shëtitorja Taulantia do t’i nënshtrohet rehabilitimit të plotë, me një fond prej 150 milionë lekësh. Në një intervistë për Report TV, kryebashkiakja Emirjana Sako foli për zgjatimin e Lungomares deri tek Porti i Peshkimit.

‘Loti i trete është vazhdim i shëtitores ekzistuese deri tek muri i portit. Kjo fazë parashikon përfitimin e një sipërfaqeje prej 4352 m2 e cila do të jetë në funksion të qytetarëve dhe të turistëve që frekuentojnë Durrësin.’- tha Sako.

Me gjatësi 150 metra lineare, punimet në shëtitoren buzë detit pritet të përfundojnë para nisjes së sezonit turistik. Ndërhyrja parashikon veç trotuareve dhe sipërfaqe të gjelbër, ndriçimin dhe stola. Në këtë zonë ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 50 restorante e bare.

Po kështu do të ndërhyhet edhe për rikonstruksionin e segmentit nga pista  deri te ‘Sfinksi’, pasi struktura prej druri dhe ajo metalike kanë degraduar.

“Ndërhyrja parashikon heqjen e kësaj strukture e në vend të tyre do të bëhet sistemimi me pllaka në të njëjtën kuotë me pllakat ekzistuese të pjesës tjetër të shëtitores. Në vijën e bashkimit me detin do të ndërtohet një shkallë 140 metër lineare e gjatë dhe 1m e gjerë”.- tha kryetari i Shoqatës së operatorëve turistikë Eduart Xhepa.

Në zonën pranë pishinës do të montohet një sistem pompimi që synon të zgjidhë përfundimisht problemin e përmbytjeve të rrugës.