Norma e interesit (yield-et) e bonove të thesarit me afat 12-mujor shënuan përsëri një rritje të lehtë në ankandin e dytë të vitit 2024.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar u rrit në 3.44%, nga 3.4% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, në datën 3 janar.
Nga 14 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e bonove nga Ministria e Financave, shuma totale e kërkesave në ankand arriti në 14.8 miliardë lekë.
Rritja e lehtë e normës së interesit në ankandet e para të këtij viti mund të shpjegohet me një shtim të kërkesës për financim nga qeveria në muajt e parë të këtij viti. Shuma prej 14 miliardë lekësh e bonove të emetuara në ankandin e ditës së martë ishte dy miliardë lekë më e lartë se shuma e instrumentit 12-mujor që maturohet këtë javë.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar për tremujorin e parë 2024 do të ketë vlerën e 144.5 miliardë lekëve, në rritje me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe me pothuajse 80% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023./ata