Qeveria qendrore dhe ajo vendore kanë rritur stokun e detyrimeve ndaj bizneseve dhe qytetarëve është me rreth 9.3 milionë euro përgjatë 3 mujorit të dytë të këtij viti.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga 9 miliardë lekë që ishte ky stok në fund të Marsit 2024, në fund të Qershorit duket të ketë arritur në vlerën e 9.9 miliardë lekëve apo rreth 99 milionë eurove.
Ndërsa në raport me fundvitin e kaluar, rritja regjistrohet në rreth 2 miliardë lekë.
Në totalin e kësaj shume, qeveria qendrore zë 5.7 miliardë lekë ndërsa pushteti vendor 4.1 miliardë lekë. Ajo që vihet re është që qeveria qendrore ka rritur stokun me 2.1 miliardë lekë, pushteti lokal ka bërë kthesë, duke ulur stokun me rreth 1.3 miliardë lekë në raport me Marsin 2024.
Sa i takon kategorisë së detyrimeve të prapambeturave, peshën më të madhe e zënë ato për investime publike, duke qenë se përgjatë këtij viti ka pasur një numër të lartë kantieresh të hapura, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
Konkretisht, detyrimet për investime, arrijnë vlerën e rreth 5 miliardë lekëve, ku stoku më i lartë sërish regjistrohet në pushtetin qendror.
Nga ana tjetër, stoku i detyrimeve për vendime gjyqësore për largime të padrejta nga puna apo ankimime të bizneseve, ndërsa dukej se po regjistronte rënie ne 3 mujorin e parë të vitit, ka marrë sërish kthesë tjetër. Qeveria qendrore dhe ajo vendore, regjistrojnë një vlerë prej rreth 1.8 miliardë lekësh, nga 1.6 miliardë lekë që regjistrohej në fund të viti të kaluar.
Kategoria “ të tjera” zë afro 1,4 miliardë lekë të totalit të detyrimeve nga 1.7 miliardë lekë që ishte në fund të Marsit 2024./Scan