Rijetësimi i Zdrales po vijon me procedurat e nisjes sa më shpejt të punimeve. I prezantuar në praninë e Kryeministrit Edi Rama, ai është ndër projektet e mëdha të transformimit të Shkodrës.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës publikoi sot në rrjetet sociale procedurat e nisjes së punimeve.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se, kompania “Curri” është fituese e procedurës së prokurimit në Lotin A të çelur në muajin korrik me një ofertë prej 275 milionë lekësh, pa përfshirë këtu TVSH-në. Kjo vlerë përbën 85.8 për qind të fondit limit.
Loti A përfshin rrugën ‘Hamz Kazazi’; fillon nga Xhamia e Parrucës dhe vazhdon deri te Markata e Peshkut. Përbëhet nga objekte që fillojnë nga 1-9 kate lartësi, ka 95 njësi shërbimi me funksione të ndryshme duke filluar nga butikë veshjesh dhe aksesorësh, ushqimore, dyqane peshku dhe mishi, bar-kafe, artikuj shtëpiakë, mjedise për profesione të lira, fruta-perime etj.
Beci shtoi se, propozimi për këtë zonë fokusohet në pjesën e rrugës, shesheve dhe fasadave.
“Rrugët dhe sheshet do të trajtohen në atë mënyrë që t’u japin përparësi këmbësorëve dhe biçikletave, ndërsa makinat do të lejohen me orare të caktuara”, theksoi ai.
Zonat e ndërhyrjes do të jenë: Sheshi i Xhamisë së Parrucës. Sheshi në mes të kryqëzimit të rrugës “Hamz Kazazi” dhe rrugës “Lidhja e Prizrenit”. Sheshi i markatës së peshkut. Rruga përgjatë gjithë zonës së Lotit A.
Kryebashkiaku Beci nënvizoi se, fasadat do të trajtohen në bazë të gjendjes së tyre ekzistuese dhe këto ndërhyrje do të bëhen në kategori të ndryshme.
Kategoria I – Pastrim fasade ose bojatisje, zëvendësim i grilave të drurit, zëvendësim i vetratave në katet zero, zëvendësim i parmakëve të objekteve, restaurim i rifiniturës së çative.
Kategoria II -Suvatim / veshje / bojatisje, restaurim i dekoracionit mural, ndryshim / zëvendësim i dritareve ose grilave, zëvendësim i vetratave në katet zero, restaurim i rifiniturës së çatisë.
Kategoria III – Trajtim fasade, ndryshim/ zëvendësim i dritareve ose grilave, trajtim i verandave/ballkoneve, zëvendësim i vetratave në katet zero, restaurim i rifiniturës së çatisë.
Kategoria IV – Paketa e muraturës, paketa e shtresave, vendosje e çatisë, dritare/ dyer/ vetrata, trajtim i ballkoneve/ verandave./ata