Administrata amerikane po përgatitet të përfshijë sërish organizatën Ansarallah, të njohur si Houthi në Jemen, në listën e organizatave të huaja terroriste për shkak të sulmeve të saj të fundit në Detin e Kuq.

Sipas lajmit të agjencisë amerikane të lajmeve Associated Press (AP) që bazohet në zyrtarë amerikanë të pa identifikuar, pritet që administrata e presidentit Joe Biden të publikojë zyrtarisht në kohën më të shkurtër vendimin e saj lidhur me grupin Houthi.

Në lajmet e pasqyruara në median e SHBA-së, thuhet se Houthitë e mbështetur nga Irani që kryejnë sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq si reagim ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza, mund të shtohen sërish në listën e organizatave të huaja terroriste.

Me zbatimin e rregullores në fjalë nga administrata Biden, Houthitë do të përfshihen sërish si "Organizatë e Veçantë Terroriste Globale" në kuadrin e dekretit presidencial nr. 13224 lidhur me Ligjin për Emigracionin dhe Shtetësinë dhe për Organizatat e Huaja Terroriste.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se që nga 16 shkurti 2021 kanë hequr nga lista e organizatave të huaja terroriste, organizatën Ansarallah e njohur si Houthi në Jemen. Ai bëri të ditur se vendimi në fjalë është marrë për shkak të përkeqësimit të rëndë të situatës humanitare në Jemen.

Houthitë më parë ishin shtuar në listën e organizatave të huaja terroriste në ditët e fundit të administratës së ish-presidentit Donald Trump./aa