Këshilli i Bashkimit Europian i dha dritën jeshile nënshkrimit të një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do të mundësojë vendosjen e patrullave nga Agjencia Europiane e Rojave Kufitare për kontrollin e kufijve, edhe brenda territorit të Serbisë në veprime të përbashkëta për kontrollimin e emigracionit të paligjshëm.

Serbia ndodhet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, e cila, pavarësisht masave të marra, kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, vazhdon të mbetet rruga e dytë më aktive e klandestinëve sipas raporteve të vetë FRONTEX-it.

 

 

 

“Marrëveshja do t’i krijojë BE-së dhe Serbisë mundësinë që të organizojnë operacione të përbashkëta, të cilat do të përfshinin FRONTEX-in dhe gardën kufitare të Serbisë. Kjo, po ashtu, nënkupton se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do të ndihmojnë autoritete serbe të përballojnë valët e emigrantëve, të menaxhojnë valët e emigracionit të paligjshëm dhe të luftojnë krimin ndërkufitar”, thuhet në njoftimin e Këshillit.

Brukseli ka pasur deri më tani një marrëveshje bashkëpunimi me Beogradin për këtë çështje, por lejonte veprimet e FRONTEX-it vetëm në kufijtë e vendeve të BE-së me Serbinë.

Marrëveshja e re i hap rrugën vendosjes së FRONTEX-it edhe brenda territorit të Serbisë. Bashkimi Europian ka aktualisht marrëveshje të tilla me disa vende fqinje, si me Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë./TopChannel