Pas vizitës që ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son-hui, zhvilloi në Rusi, administrata e SHBA-së paralajmëroi se Pheniani mund të kryejë ndihma të reja ushtarake ndaj këtij vendi për t’u përdorur në luftën në Ukrainë.

Vazhdon jehona e vizitës treditore që Choe Son-hui zhvilloi në Rusi me ftesë të homologut të saj rus, Sergey Lavrov.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), Pat Ryder, në një konferencë ditore për shtyp, në lidhje me çështjen tha se "Është e qartë se Koreja e Veriut dhe Rusia kanë një marrëdhënie. Nuk duam të shohim vazhdimin e armatosjes së Rusisë për t’u përdorur në Ukrainë".

Edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, në një konferencë ditore për shtyp i bëri thirrje Koresë së Veriut që të rikthehet në tryezën e dialogut.

Duke vënë në dukje se transferimi i armëve mes Koresë së Veriut dhe Rusisë është në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), Miller tha se "E shikojmë që Rusia siguron armë për Korenë e Veriut dhe Koreja e Veriut për Rusinë. Rusia me këto veprime të saj shkel shumë rezoluta të KS-OKB-së të cilat edhe ajo vetë i ka mbështetur"./aa