Rruga Thumanë-Ishëm, që lidh bashkinë Krujë me bregdetin për pak muaj do të jetë gati.
 
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku ndau edhe pamje nga punimet që po kryhen në këtë rrugë.
 
“Aksi Thumanë – Ishëm do të jetë në parametrat e duhur për t’i dhënë një akses të ri rrugor përdoruesve të mjeteve si dhe një mundësi më shumë për banorët e zonës dhe ekonominë rurale”, theksoi Rama.
 
Ky aks ka një gjatësi prej 6 km dhe pritet të jetë në parametrat e duhur.
 
Ndërkohë që edhe ndërtimi i rrugës Thumanë – Kashar do të lehtësojë ndjeshëm gjithë trafikun në Fushë Krujë dhe kthen në normalitet qarkullimin e mjeteve në akset kombëtare që kalojnë në territorin e bashkisë Krujë.
 
Bashkia Krujë ka peizazhin infrastruktor më të rëndësishëm në Shqipëri, ku kalojnë akse nevralgjike si rruga e Kombit, Thumanë- Kashar, Fushë Krujë – Vorë, Fushë Krujë – Kamëz dhe akset e Aeroportit të Rinasit./ata