Në prag të ndeshjes me Teutën, që do të luhet nesër në “Niko Dovana”, trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, ka dalë para mediave, ku ka sqaruar situatën dhe objektivat e bardhebluve për duelin me Teutën. Sipas Ahmatajt Teuta ka ekip të mirë dhe nuk e meriton pozicion që ka në renditje, ndaj duhet kujdes.

Ahmataj pohoi se nuk do të thotë gjë që Tirana nuk fiton prej dy vitesh në Durrës, ndaj do të kërkohet maksimumi. Ai sqaroi edhe lëvizjet e merkatos.

“Jemi stërvitur me ritëm të lartë dhe jemi gati për ndeshjen. Do të jemi në maksimum nesër, pasi Teuta është gjithnjë një skuadër e vështirë dhe e mirë, pavarësisht pozicionit që ka në renditje dhe nuk e meriton atë vend.

Mendoj se është një ndeshje e vështirë. Ndeshjet nuk janë të njëjta. Para ato që luan një javë, nuk mund të luhet javës tjetër, por forma e skuadrës shikohet. Besoj se vështirësia e kundërshtarit duket, por ne kemi objektiva të tjerë, objektiva madhorë dhe për këtë arsye duhet të jemi në maksimumin tonë dhe të dalim me fitore.

Çfarë ka ndryshuar së fundmi te Tirana?

Nuk ka ndonjë sekret të madh, thjesht kemi ndryshuar marshin e punës dhe jemi aneksuar në këtë pozicionin tonë të skuadrës. Kemi larguar pak tensionin nga skuadra. Jemi më të qetë, dhe kur je më i qetë punon më fort dhe kjo duhet të vazhdojë dhe duhet të ecim përpara dhe të kemi formën tonë në rritje.

Shpikjet në formacion?

Latifi nuk është një shpikje, pasi është sulmues, pavarësisht se shumicën e rasteve ka luajtur si anësor. Më herët në karrierën e tij ai ka luajtur si sulmues qendror dhe kemi menduar se ai mund të jap kontribut shumë të mirë me shpejtësinë që ka në majë të sulmit.

Tirana nuk fiton prej dy vitesh në Durrës…

Inercia në futboll nuk ekziston. Kemi dy vite që nuk fitojmë në Durrës, por kjo nuk do të thotë asgjë. Ashtu siç vijmë nga dy fitore nuk do të thotë asgjë. Gjithmonë në fushën e lojës do të marrësh atë që do të prodhosh. Duhet të japim maksimumin tonë që të arrijmë te fitorja.

Largohen golashënuesit…

Edhe pa këta lojtarë ne kemi shënuar tetë gola në dy ndeshjet e fundit, ndaj as kjo nuk do të ndikojë. Them kështu, pasi edhe lojtarët e tjerë kanë kualitet, cilësi dhe eksperiencë për të përballuar dhe arritur objektivat e klubit. Të gjitha skuadrat, ashtu si edhe ne kemi nevojë për përforcime.

Ne kemi lojtarë, do të mundohemi që të aktivizojmë edhe lojtarët e rinj dhe t’u japim minuta. Ju them me bindje se te Akademia kemi lojtarë cilësor, por nga këta të rinj nuk kërkohet rendimenti maksimal, sepse mund të shprehen mirë në ndeshje të caktuara, por kanë edhe momentet e tyre të formimit.

Situata e ekipit…

Najdovski ka kaluar një dëmtim dhe besoj se edhe këtë ndeshje nuk mund ta arrijë dhe shpresojmë që nga java tjetër të jetë gati duke na plotësuar edhe më shumë. Patrik është afruar me skuadrën dhe këtë javë do e marrim edhe atë, por mund të ketë pak minuta sepse nuk është plotësisht gati për të luajtur. Nuk duam ta rrezikojmë lojtarin për vazhdimësinë. Gara është e gjatë dhe një lojtar si Patriku është një blerje për ne në janar, pasi nuk ka qenë në pjesën e  parë të sezonit. Është një blerje e garantuar për rendimentin që ai jep në fushën e lojës.