Presidenti i Dhomës Amerikane, Grant Van Cleve dhe drejtori ekzekutiv, Neritan Mullaj u takuan sot me drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli.

Sipas AmCham-it, ky është hapi i parë i ndërmarrë në vitin 2024 nga drejtuesit e dy institucioneve për të konsoliduar marrëdhëniet e punës në funksion të shërbimit ndaj biznesit.

Dhoma Amerikane ka një histori të gjatë të takimeve periodike me Drejtorinë e Doganave dhe ka ndërtuar një platformë të drejtpërdrejtë të komunikimit në trajtimin e çështjeve që anëtarët e saj hasin në dogana.

Kjo është reflektuar në vlerësimin pozitiv që anëtarët e Dhomës Amerikane i kanë dhënë marrëdhënieve me doganat në Indeksin e Biznesit duke dëshmuar efektivitetin e ndërtimit të urave të bashkëpunimit mes biznesit dhe institucioneve.

“Për të forcuar këtë marrëdhënie, drejtuesit e AmCham dhe Doganave, kanë folur konkretisht për planet e bashkëpunimit gjatë vitit dhe format më të mira të trajtimit të çështjeve me te ndjeshme apo ato që janë në proces. Doganat kanë një sërë problematikash të ngritura nga anëtarët e AmCham ndërkohë që vijimi i lehtësimit të procedurave doganore apo proceset e digjitalizimit të sistemeve, mbeten tema dypalëshe për të cilat është e nevojshme shkëmbimi i informacionit dhe diskutimi mbi zgjidhjet e propozuara”, bën të ditur Dhoma.

Drejtuesit e të dy institucioneve e vlerësuan si mjaft të rëndësishëm promovimin e statusit OEA (Operatori Ekonomik i Autorizuar) dhe inkurajimin e biznesit për të aplikuar për këtë status që lehtëson dhe shkurton kohën procedurave në dogana.

Dhoma Amerikane është e vetëdijshme se doganat, janë porta hyrëse e biznesit në tregun vendas dhe për rrjedhojë dhe impresioni i parë që biznesi lokal por dhe investitorët e huaj marrin për standardin e klimës së biznesit në vend. Në funksion të këtij qëllimi Dhoma Amerikane do të vijojë të nxisë këto bashkëpunime dhe marrëdhënie që prodhojnë siguri, qartësi për biznesin./ata