Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se, eksportet bujqësore arritën vlerën e 57.5 miliardë lekëve në vitin 2023.
 
Denaj tha se, “eksportet bujqësore në vlerë u rritën me 7.7% gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022”.
 
Referuar statistikave që tregojnë se bujqësia është sektori me ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve në vitin 2023, ministrja theksoi se “kjo është falë punës së shkëlqyer të njerëzve punëtorë të bujqësisë, të cilët pavarësisht sfidave klimatike dhe kursit të këmbimit ja kanë dalë me sukses”.
 
“Ne do të vijojmë politikat mbështetëse për të gjithë njerëzit e punës, drejt objektivit të qeverisë 1 miliardë usd eksporte deri në 2030”, deklaroi Denaj.
 
 

Këto të dhëna janë dëshmi e zbatimit të politikave mbështetëse për nxitjen e prodhimit vendas, rritjen e cilësisë dhe të standardeve për produktet “Made in Albania”, që konkurrojnë për nga cilësia e lartë në mbi 80 tregjet e sofistikuara të Evropës dhe më gjerë. Ndërsa e kanë kthyer Shqipërinë në faktor të rëndësishëm në rajon për sa i takon eksportit të prodhimeve bujqësore./ata