Para 30 vjetëve, Mahmut Sulayıcı ndërtoi një shtëpi për familjen e tij në pjesën qendrore të provincës Kahramanmaraş, ku banonin djali i tij, dy vajzat, dhëndri dhe katër nipa e mbesa.

 

Tërmetet e 6 shkurtit me epiqendër pikërisht në provincën Kahramanmaraş shkaktuan shembjen e shtëpisë, ku 65-vjeçari Mahmut Sulayıcı humbi të gjithë anëtarët e familjes. Mbijetoi vetëm ai me bashkëshorten Elif.

 

Duke folur për Anadolu, zonja Elif Sulayıcı përkujton se 20 vjet më parë, ata kishin humbur një djalë nga kanceri.

 

“Tani i kam humbur të gjithë fëmijët e mi. Nuk mundëm të shpëtonim as njërin prej tyre. I kemi humbur edhe nipërit dhe mbesat. Kjo dhimbje është e padurueshme”, tha ajo.

 

Fëmijët e çiftit, Saiti 30-vjeçar, si dhe vajzat Türkan (40) dhe Şükran (43), jetuan pothuajse gjatë gjithë jetës së tyre në shtëpinë e familjes, e cila ndodhet disa metra larg biznesit të babait të tyre, i cili zotëronte një pikë të karburantit. Şükran kishte katër fëmijë, të moshës 21, 20, 15 dhe 13 vjeç.

 

Vajza më e madhe e saj, 21-vjeçarja Birsen, sapo ishte punësuar si infermiere dhe duhej ta merrte pagën e saj të parë më 15 shkurt.

 

“Birsen kishte një personalitet kaq të bukur dhe të sjellshëm, ajo ishte e dashur nga të gjithë. Ajo kishte bërë një betim, do të dhuronte të gjithë rrogën e saj të parë për njerëzit në nevojë. Ajo tani nuk është më. Ajo kishte ëndrra për të realizuar”, tha gjyshja Elif.

 

Ajo thotë se edhe djali i saj, Saiti, kishte qenë jashtëzakonisht i qetë muajin e kaluar. Elif madje thotë se ajo ishte e shqetësuar për mirëqenien e tij.

 

“Ai nuk kishte asnjë sëmundje apo problem. Ai ishte edhe më i qetë në tre ditët e fundit para tërmeteve. E pyeta se çfarë kishte. E pyesja vazhdimisht. Ai thoshte se nuk kishte asgjë", tha ajo, duke shtuar, "Duke menduar për të gjitha tani, unë besoj se ai duhet të ketë ndjerë atë që po vinte për ne".

 

Histori të ngjashme mund të dëgjohen në të gjithë qytetin Kahramanmaraş, ku vendasit në shumë raste kanë banuar e gjithë familja në të njëjtën shtëpi, madje në disa raste kanë bizneset e tyre familjare në katin përdhes.

 

Tani që ata kanë humbur të gjithë fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre, Mahmut dhe Elif Sulayıcı po përpiqen të mbajnë veten me mbështetjen e të afërmve dhe miqve të tyre, të cilët vizitojnë çiftin në tendat jashtë shtëpisë së shembur./AA