Ministri i Financave, Ervin Mete priti në një takim Presidentin e Rajonit të Lombardisë në Itali, Attilio Fontana, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë, në veçanti me rajonin e Lombardisë, si edhe mundësinë për rritjen e mëtejshme të investimeve italiane në vendin tonë.
Mete vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, si dhe shprehu angazhimin për thellimin e mëtejshëm.
Ministri Mete tha se Shqipëria ofron mundësi investimi në shumë sektorë si energji, infrastrukturë, agrikulturë dhe veçanërisht në turizëm, i cili pati një performancë shumë të mirë gjatë vitit të kaluar, duke u kthyer në një prej fushave më atraktive për investimet.
Gjithashtu, Ministri Mete shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe rolin proaktiv të Italisë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në Bashkimit Europian.
Nga ana e tij, Presidenti i Rajonit të Lombardisë shprehu interesin për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë, duke e konsideruar vendin tonë tërheqës për sipërmarrjet italiane për të zgjeruar aktivitetin e tyre ekonomik.
Referuar të dhënave, volumi total i tregtisë mes Italisë dhe Shqipërisë për vitin 2023 ishte 3.5 miliardë euro. Po për vitin 2023, Italia renditet në vend të katërt sa i përket stokut të investimeve të huaja në vendin tonë, me një trend rritës në vitet e fundit. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 5767 biznese italiane aktive, me kapital të përbashkët ose tërësisht italian./ata