Kryeministri Edi Rama, ka publikuar të dielën në mëngjes, përmes rrjeteve sociale pamje nga puna që po zhvillohet në Kashar për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike (TEDA).
Rama bashkangjitur videos, nënvizon se TEDA pritet të jetë një stacion për mbledhjen e shumë bizneseve ndërkombëtare
“Nis puna për ndërtimin e Zonës së Lirë Ekonomike (TEDA) në Kashar, një hapësirë kushtuar investimeve të huaja që operojnë edhe në tregun shqiptar, me fokus në sektorin automotiv, teknologjinë e informacionit, elektronikë, bioteknologji etj”, shkruan Rama.
“TEDA pritet të shndërrohet në një stacion për mbledhjen e shumë bizneseve ndërkombëtare që duan të investojnë në Tiranë, duke nisur nga turizmi e deri te prodhimi i pjesëve për automjete”, nënvizon Kryeministri.
Projekti përfshin një territor me sipërfaqe 35 hektarë. Projekti përfshin zonën e Kasharit në kryeqytet dhe synon tërheqjen e industrisë prodhuese si asaj të automobilëve, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pajisjeve elektronike, farmaceutike, agropërpunuese si dhe industrive të tjera që operojnë me standard ndërkombëtare./ata